Regjistrimi dhe votimi i qytetarëve me të drejtë vote të infektuar me COVID-19
10/02/2021
Të gjithë qytetaret të cilët për shkak se kanë rezultuar pozitiv me COVID – 19 dhe ata që janë në vetizolim, KQZ, ju mundëson votimin përmes ekipeve mobile.
KQZ do t’i kontaktojë të gjithë qytetarët të cilët janë në listen e IKSHPK, deri me datën 11 shkurt si persona të infektuar me COVID – 19 dhe ata që janë në vetizolim, pa pasur nevojë për ndonjë regjistrim paraprak.
- Për të votuar, qytetarëve të infektuar me COVID -19 dhe ata që janë në vetizolim, u dërgohet ekipi lëvizës në adresën e votuesit të regjistruar për të votuar;
- Anëtarët e ekipit lëvizës do të jenë të pajisur me maskë, mantel, dorëza dhe mjete për dezinfektim;
- Nëse ju si votues nuk keni pajisje mbrojtëse në shtëpi, ekipi lëvizës do t’iu sigurojë maskë dhe dorëza për mbrojtje gjatë votimit;
- Me qëllim të identifikimit, votuesi e tregon një dokument të vlefshëm identifikimi para ekipit lëvizës dhe largon maskën në kohë të shkurtër derisa të identifikohet;
- Nënshkruheni në listën votuese;
- Para se të merrni fletëvotimin, ju duhet t’i dezinfektoni duart;
- Së bashku me fletëvotimin, ekipi lëvizës do t’iu jap një zarf të veçantë për të vendosur fletëvotimin, në mënyrë që të ruani fshehtësinë e votës;
- Ju duhet të keni hapësirë për të votuar në mënyrë të fshehtë dhe të pavaruar;
- Pasi të keni votuar, fletëvotimin e vendosni në zarf të veçantë, të cilin e mbyllni dhe e vendosni në kutinë e votimit;
- Pas votimit, ju duhet që sërish t’i dezinfektoni duart;
- Me qëllim të mbrojtjes së identitetit të votuesve të infektuar me COVID – 19 dhe votuesve të izoluar, nuk do të lejohet fotografimi dhe filmimi i procesit të votimit;
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre masave të domosdoshme me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.
Për informata shtesë kontaktoni këtë linjë ndihmëse pa pagesë: 0800 55 555