Pas shtyrjes së zgjedhjeve të 18 dhe 25 dhjetorit, KQZ-ja pezullon aktivitetet përgatitore për organizimin e tyre
Prishtinë, 11 dhjetor 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit për kryetar të katër komunave dhe zgjedhjeve të parakohshme të 25 dhjetorit për dy kuvendet komunale.
Pas vendimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të përcaktuara të mbahen më 18 dhjetor 2022, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të përcaktuara të mbahen më 25 dhjetor 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për: pezullimin e të gjitha aktiviteteve zgjedhore për organizimin e këtyre dy proceseve zgjedhore.
Po ashtu, në këtë mbledhje, sipas vendimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, anëtarët e KQZ-së u dakorduan për hartimin e një plani të ri operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.