Njoftim nga mbledhja e KQZ-së: Numërimi në QKN dhe vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës

Prishtinë, 13 shkurt 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 14-në në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje u prezantua një raport lidhur me ecurinë e fillimit të numërimit të votave të kandidatëe për deputetë në QKN nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025.
Gjatë mbledhjes u bë e ditur se gjatë ditës së enjte (13 shkurt) ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat Suharekë, Ferizaj dhe Vushtrri, ndërkaq gjatë pasdites do të fillojë numërimi edhe në qendrat tjera në komunat Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.
Deri më tani, më 11 dhe 12 shkurt, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime ka filluar në QKN-të e komunave: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit.
Procesi i numërimit nuk ka filluar ende në QKN-të e komunave Dragash, Istog, Klinë, Leposaviq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Mamushë dhe Graçanicë, ku janë duke u bërë përgatitjet e fundit teknike dhe administrative.
Gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike, si një proces i paraparë me aktet nënligjore të miratuara nga KQZ.
Në vazhdim të mbledhjes u prezantua edhe një raport lidhur me procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht votimi përmes postës, i cili ka filluar më 9 shkurt 2025.
Deri më tani, procesit të vlerësimit i janë nënstruar 8,776 zarfe apo pako me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 8,247 pako, ndërsa 529 janë refuzuar për arsye të ndryshme, si:
– Janë anuluar gjatë regjistrimit: 395;
– Më shumë se një fletëvotim brenda zarfit: 34;
– Mungon vula/ pulla postare:5;
– Shteti i ndryshëm e dërgimit të zarfit nga shteti ku votuesi është regjistruar: 16;
– Vetëm dëftesa (pa fletëvotim) 50;
– Ka dërguar zarfin me fletëvotim më shumë se një herë: 29.
Gjatë periudhës së votimit përmes postës, KQZ ka pranuar 68,712 pako me fletëvotime, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar për votim përmes ishte 84,600.
Në përfundim të verësimit të këtyre pakove, do të dihet saktë se sa është numri i pakove me fletëvotime të cilat do t’i nënshtrohennumërimit.
Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104,924, prej të cilëve 20,324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, por votuan vetëm 15,352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.