Njoftim nga mbledhja e 8-të e KQZ-së

15/02/2024

Prishtinë, 15 shkurt 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 8-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të mbledhjes, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) paraqiti një njoftim lidhur me afatin e partive politike për të dorëzuar në KQZ të dhënat të përditësuara, i cili ka përfunduar më 31 janar 2024.

Sipas njoftimit, nga 50 parti politike të regjistruara në Kosovë, 46 parti politike kanë dorëzuar formularët me të dhënat e përditësuara brenda afatit; 2 parti politike të tjera me disa ditë vonesë dhe 2 parti politike nuk kanë dorëzuar ende këtë raport.

Duke u mbështetur në Rregullën Zgjedhore Nr. 01/2023 Regjistrimi dhe funksionimi i partive politike, KQZ shqiptoi gjoba për 2 partitë politike që kanë dorëzuar me vonesë formularin e të dhënave të përditësuara, varësisht nga ditët e vonesës.

Sipas vendimit të KQZ-së, Partia Kosovskih Srba, për shkak të dorëzimit të formularit me 5 ditë vonesë, është gjobitur me 250 Euro, ndërsa Kosova Adalet Türk Partisi, e cila ka dorëzuar formularin me 8 ditë vonesë, është gjobitur në shumën 500 Euro.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ miratoi Planin e Integritetit të KQZ-së, sipas të cilit, ndër tjerash KQZ në vazhdimësi bënë përpjekje të fuqishme për të rritur efikasitetin, trajtimin dhe cilësinë e organizimit, menaxhimit, mbikëqyrjes, transparencës dhe besimit, në proceset zgjedhore demokratike.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ miratoi 2 kërkesa për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendeve Komunale në komunn e Skënderajt dhe Dragashit.

Gazmend Ramandani emërohet anëtar i Kuvendit Komunal në Dragash nga subjekti politik “Lidhja Demokratike e Kosovës”, duke e zëvendësuar z. Naser Myrtezani.

 Znj. Ervina Vojvoda emërohet anëtare e Kuvendit Komunal në Skënderaj nga subjekti politik “Lista e Pavarur Bekim Jashari”, duke e zëvendësuar znj. Fatbardha Halili Mustafa.