Njoftim nga mbledhja e 30-të e KQZ-së

14/11/2023

Prishtinë, 14 nëntor 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 30-të për vitin 2023 të kryesuar nga kryetari, Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të mbledhjes, KQZ u njoftua nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) lidhur me monitorinin e kuvendit zgjedhor të partisë politike Srspska Lista, i cili është mbajtur më 24 tetor 2023. Sipas njoftimit nga ZRCKFSP, zgjedhja e kryetarit, anëtarëve të kryesisë dhe nnkryetarëve, është bërë nga 29 delegatë të ranishëm. Pas monitorimit të kuvendit zgjedhor dhe pranimit të materialeve të tjera, Zyra ka konstatuar se zgjedhja e kryetarit të partisë politike, kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhje me Rregulloren Nr. 01/2023 për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike dhe Statutin e partisë politike Srpska Lista.

Po ashtu, KQZ u njoftua nga ZRCKFSP se ka përfunduar procesi i auditimit të raporteve financiare vjetore të partive politike (2021) si dhe auditimi i raporteve të deklarimit financiar të subjekteve politike të fushatës së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale (2021). Këto raporte janë pubkikuar në ueb faqen e KQZ-së.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ shqyrtoi dhe miratoi raportin e realizimit të Planit të Punës së KQZ-së për periudhën janar – shtator 2023.

KQZ shqyrtoi dhe miratoi edhe dokumentin “Analizë gjinore dhe e moshës e lidershipit të partive politike për periudhën 2022 – 2023”. Nga 42 parti politike të regjistruara në vitin 2022, që në strukturat udhëheqëse kanë gjithsej 840 anëtarë (përfshirë kryetarët) prej tyre janë 649 burra (77.26%) dhe 191 gra (22.74%). Ndërsa, nga 49 parti politike të regjistruara në vitin 2023, që në strukturat udhëheqëse kanë githsej 919 anëtarë (përfshirë kryetarët) prej tyre janë 698 burra (75.95%) dhe 221 gra (24.05%).

Në pikat tjera të rendit të ditës, KQZ shqyrtoi dhe miratoi edhe këto raporte:

  • Raport Financiar për periudhën janar – shtator 2023;
  • Raport i kontratave të nënshkruara për periudhën janar – shtator 2023;
  • Raport i shpenzimit të derivateve për periudhën janar – shtator 2023;
  • Raport për pasurinë jo-financiare të KQZ-së.