Njoftim nga mbledhja e 22-të e KQZ-së

20/07/2023

Prishtinë, 20 korrik 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 22-të në këtë vit, të kryesuar nga kryetari, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e projektit “Informimi i votuesve për caktimin dhe ndërrimin e qendrës së votimit”. Ky projekt ka për qëllim të informojë qytetarët me të drejtë vote se edhe gjatë periudhës jo-zgjedhore do të munden që të informohen për qendrën e tyre të votimit apo edhe ta ndërrojnë qendrën e votimit brenda komunës që i takojnë. Kjo mundësi, do t’iu ofrohet qytetarëve me të drejtë vote duke filluar nga muaji shtator. Për këtë qëllim, KQZ do të publikojë në ueb faqe Makinën Kërkuese, ku të gjithë votuesit do të mund të qasen përmes numrit të letërnjoftimit. Informacionet më të detajuara për këtë, do të publikohen në kohën e fillimit të këtij aktiviteti.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për ri-shpalljen e konkursim për kompozimin e melodisë së përhershme të KQZ-së. Konkursi i parë ishte mbyllur më 5 qershor, por ishte pranuar vetëm një ofertë, e cila nuk ishte e mjaftueshme për të vazhduar me procesin. Melodia e KQZ-së ka për qëllim ta identifikojë institucionin dhe informatat të cilat do të publikohen në audio apo video, do të shoqërohen me këtë melodi. Konkursi do të hapet më 21 korrik dhe do të mbyllet më 21 gusht 2023.

Në fund të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e kërkesave për zëvendësimin e antërëve të Kuvendit Komunal në Zubin Potok dhe Klinë. Sipas vendimit të KQZ-së, znj. Leonora Jaha Dakaj (AAK) emërohet anëtare e Kuvendit Komunal në Klinë duke zëvendësuar z. Shemsedin Berisha, ndërsa, z. Shaban Deliu (LVV) emërohet anëtar i Kuvendit Komunal në Zubin Potok duke zëendësuar z. Sefer Veseli (PDK).