Njoftim nga mbledhja e 18-të e KQZ-së: Vendim për rinumërimin e 50 vendvotimeve
10/03/2025

Prishtinë, 10 mars 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedheve mbajti mbledhjen e 18-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025.
Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve nga kjo qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.
Gjithashtu, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate. Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025.
Procesi i rinumërimit do të fillojë të hënën, më 10 mars, duke filluar nga ora 16:00 dhe për këtë janë njoftuar vëzhguesit e akredituar të subjekteve politike.
