Njoftim nga aktivitetet e KQZ-së në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve

24/02/2025

Prishtinë, 24 shkurt 2025 – Të hënën, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve mediat u njoftuan lidhur me aktivitetet të cilat janë duke u zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pas përfundimit të numërimit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit.

Në këtë konferencë të KQZ-së, mediat u informuan se KQZ është duke vazhduar me aktivitetet e parapara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore, me qëllim që të arrihet deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputtetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tregoi se më 22 shkurt, në QNR ka filluar skanimi i listës së votuesve nga 2,533 vendvotimet e rregullta në të cilën nënshkruhen votuesit që marrin pjesë në votim.

Gjithashtu, mediat u informuan edhe për procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës, qëllimi i së cilit është të verifikohet nëse pakot e dërguara u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.

Sipas të dhënave preliminare, procesit të vlerësimit apo verifikimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës i janë nënshtruar rreth 69 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar rreth 63 mijë ndërkaq janë refuzuar rreth 4 mijë e 900. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj.

Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.

Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.