Njoftim lidhur me ecurinë e procesit të numërimit të votave në 30 Qendrat Komunale të Numërimit

14/02/2025

Prishtinë, 14 shkurt 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendra Komunale të Numërimit në komuna të ndryshme të Kosovës.

Mëngjesin e së premtes (14 shkurt) ky poces ka filluar edhe në komunën e Istogut dhe Rahovecit. Gjatë pasdites, në orën 16:00, planifikohet që numërimi të fillojë në QKN-të në komunat Pejë dhe Podujevë.

Numërimi në komuna ka filluar sipas këtyre datave:

11 shkurt 2025 – Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh;
12 shkurt 2025 – Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë., Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit;
13 shkurt 2025 – Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.

Nga të dhënat që kemi pranuar nga Qendrat Komunale të Numërimit në 26 komuna (4 prej të cilave filluan numërimin më 11 shkurt, 14 tjera pasditen e 12 shkurtit dhe 8 më 13 shkurt) deri më 13 shkurt janë numëruar 386 vendvotime.

Gjithashtu, KQZ njofton e procesi i numërimit ka përfunduar në QKN-të e komunave Hani i Elezit, Shtërpcë, Partesh dhe Ranillug.