Njoftim lidhur me ecurinë e procesit të numërimit të votave në 19 Qendrat Komunale të Numërimit

Prishtinë, 12 shkurt 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve dhe verifikimi i votave të subjekteve politike në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh, i cili kishte filluar një ditë më herët.
Në konferencë për media nga Qendra Komunale e Numërimit për komunën e Prishtinës, “1 Tetori”, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se të mërkurën, në orën 16:00, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin i votave të subjekteve politike ka filluar edhe në QKN-të e komunave: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, kurse në orën 13:00 ka filluar numërimi në Hanin e Elezit.
Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike.
Ky verifikim është paraparë me aktet nënligjore që janë miratuar nga KQZ qysh para shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe sigurisht se kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike.