Mbledhja e KQZ-së: Shtypja e fletëvotimeve; vendvotimet në përfaqësi diplomatike dhe autorizimi i ekipeve për tërheqjen e dërgesave postare jashtë Kosovës
Prishtinë, 15 janar 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 6-të për këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.
Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, KQZ mori disa vendime.
Fillimisht, KQZ mori vendim për numrin e fletëvotimeve dhe broshurave që do të shtypen për këto zgjedhje.
Sipas vendimit të KQZ-së do të shtypen 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike.
Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,075,868 votues, prej të cilëve 1,970,944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104,924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës.
Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e 2 vendvotimeve shtesë në Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike në Bernë dhe Gjenevë, në shtetin e Zvicrës. Gjithashtu, KQZ mori vendim që në përfaqësinë diplomatike në Stokholm të hapet vetëm një vendvotim, nga dy sa ishin planifikuar në fillim, për shkak të numrit të vogël të votuesve të regjistruar, 271 sosh.
Pas këtij vendimi të KQZ-së, në përgjithësi procesi i votimit do të zhvillohet në 46 vendvotime të 17 ambasadave dhe 15 konsullatave të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës.
Më 9 janar 2025, ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi. Kjo periudhë (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit:
- duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo
- duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e ekipeve të autorizuara për tërheqjen e dërgesave postare jashtë Kosovës.
Në këtë mbledhje, KQZ mori edhe disa vendime të tjera, si në vijim:
- Vendim për miratimin e procedurave të votimit dhe numërimit në vendvotim; dhe
- Plani operacional i sigurisë për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.