Mbledhja e 26-të e KQZ-së: Pezullimi i partisë politike SDA dhe rekomandimi për kandidatin e radhës për deputet

04/10/2022

Prishtinë, 4 tetor 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për pezullimin e partisë politike Stranka Demokratske Akcije (SDA), e cila nuk ka mbajtur deri më tani kuvendin zgjedhor. Partitë politike, sipas Rregullës Zgjedhore për regjistrimin dhe veprimin e partive politike, janë të obliguara që ta informojnë Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC) se kanë mbajtur kuvendin. Partia politike Stranka Demokratska Akcije (SDA), e regjistruar më 21 gusht 2000 dhe me kryetar z. Numan Balic, ka bërë kërkesë për shtyrjen e mbajtjes së kuvendit zgjedhor dhe është miratuar nga KQZ-ja duke i dhënë afat shtesë deri më 18 shtator 2022. Në mbledhjen e mbajtur më 4 tetor 2022, KQZ-ja miratoi rekomandimin e Zyrës për të pezulluar këtë parti politike dhe duke i dhënë një afat shtesë prej 45 ditësh për të organizuar dhe mbajtur kuvendin zgjedhor.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja miratoi rekomandimin për kandidatin e radhës sipas listës së subjektit politik, Lëvizja Vetëvevendosje. Në bazë të rezultateve të certifikuara për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 14 shkurt 2021, kandidti i radhës është z. Nasuf Bejta, i cili zëvendëson znj. Vasfije Blair, nga i njëjti subjekt politik.