Kryetari dhe anëtarët e KQZ-së marrin pjesë në tryezën: Financimi politik në Kosovë, çka pas ndryshimeve të reja ligjore?
Prishtinë, 15 dhjetor 2022 – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarët tjerë të KQZ-së, Arianit Elshani, Alim Rama dhe Ilir Gashi morën pjesë në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Financimi politik në Kosovë: çka pas ndryshimeve të reja ligjore?”.
Pjesë e panelit, përveç kryetarit të KQZ-së, ishin edhe Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek dhe Drejtori i Transparency International në Çeki, Ondrej Kopency.
Në fjalën e tij, kryetari Radoniqi njoftoi të pranishimit se brenda afateve ligjore, të përcaktuara me ligjin e ri për financimin e subjekteve politike, është shpallur dhe është përmbyllur procedura e rekrutimit të Drejtorit të Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Subjekteve Politike. Ai, tregoi se aktualisht po punohet në hartimin e strukturës organizative të Zyrës si dhe në legjislacionin sekondar që kërkohet me këtë ligj për finanancimin e subjekteve politike.
“Besoj se shumë tema që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe partitë politike janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, por që në fund i shërbejnë rritjes së integritetit dhe besueshmërisë së qytetarëve në procese zgjedhore. E them këtë duke u nisur nga mësimet që marrim nga shoqëritë me demokraci të avancuara se transparenca, llogaridhënia dhe zbatimi i ligjit kanë ndikuar në ndërtimin e institucioneve të përgjegjshme. Transparenca financiare e partive politike është e domosdoshme për të siguruar besueshmëri te qytetarët për partitë politike, por edhe për të garantuar llogaridhënie te qytetarët për paratë që marrin nga buxheti i shtetit apo edhe nga donatorë të tjerë. Si Komision Qendror i Zgjedhjeve besoj se i kemi kontribouar jashtëzakonisht shumë transparencës. Pikërisht me qëllim të rritjes së transparencës para qytetarëve, KQZ-ja ka disa vite që publikon raportet vjetore financiare dhe raportet e fushatave zgjedhore edhe kur ato janë të paaudituara. Nëse deri më tani, ne si KQZ nuk kemi pritur auditimin e këtyre raporteve për t’i publikuar ato, i cili në disa raste edhe është vonuar, në ligjin e ri është vendosur praktika e ndjekur nga KQZ-ja. Pra, partitë politike janë të obliguara që t’i publikojnë të gjitha raportet vjetore dhe të fushatës, pavarësisht procesit të auditimit. Gjithashtu, ligji i ri i obligon partitë politike që t’i publikojnë raportet tre-mujore si dhe ta përditësojnë çdo tre muaj listën e kontribousve”, tha Radoniqi.
Më tej ai foli edhe për KQZ-në, në këtë rast Zyren, e cila do të ketë më shumë kompetenca me ligjin e ri. “Ndryshimet e bëra në ligjin e ri, parashikojnë më shumë kontroll financiar për partitë politike dhe më shumë kompetenca për institucionet. Kjo vlen edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi i është rikthyer kompetenca për të përzgjedhur auditorët të cilët do të auditojnë raportet vjetore financiare, por edhe raportet e fushatave zgjedhore të subjekteve politike. Që nga viti i ardhshëm, Zyra do të përzgjedhë auditorë nëpërmjet një konkursi të hapur publik për aplikim, ashtu siç parashihet me ligjin e ri. Me Ligjin e ri për financimin e subjekteve politike, raportet e audituara përveç Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, do t’i dërgohem edhe Zyrës se Prokurorit te Shtetit, Njësisë se Inteligjencës Financiare ose Administratës Tatimore te cila sipas mandatit të tyre mund të ekzaminojë dhe adresojnë shkeljet”, shtoi kryetari Radoniqi.
Ligji i plotësuar për Financimin e subjekteve politike specifikon llojet e ndryshme të shkeljeve si dhe identifikon personin përgjegjës për shkeljen dhe llojin e dënimit që do të jepet për çdo shkelje. Ligji parashikon sanksione me gjobë, ndaj partisë politike, kryetarit te partisë, ndaj personit përgjegjës financiar të partisë kur shkeljet e konstatuara nuk përbëjnë vepër penale. Sanksionet me rekomandimin e Zyrës vendosen nga Kryesuesi i KQZ-së, në rastet kur pas verifikimit të raporteve të auditorit, konstatohen shkelje të dispozitave të këtij ligji.