KQZ vazhdon vizitat nëpër komuna, pritet në takim nga kryetari i Prishtinës, Rama
Prishtinë, 30 maj 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi ditën e dytë të takimeve me kryetarë të komunave për t’u koordinuar dhe bashkëpunuar në zbatimin e Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2023.
Delegacioni i KQZ-së, në përbërje të kryesuesit, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarëve Alban Krasniqi, Sami Hamiti dhe drejtori i SKQZ-së, Burim Ahmetaj, qëndruan në Komunën e Prishtinës ku u pritën nga kryetari, Përparim Rama.
Në qendër të këtij takimi ishin diskutimet për bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional lidhur me zbatimin e detyrimeve përkatëse ligjore.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve si dhe hapësira për adaptimin e Qendrave Komunale të Numërimit.
KQZ, në çdo komunë ushtron funksionin zyrtar përmes Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (ZEKKZ). Gjatë periudhës së zgjedhjeve, Zyrtari Ekzekutiv është Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve që themelohet nga përfaqësues të subjekteve politike të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale.
Përveç kësaj, me ligjin e ri KQZ do të themelojë në çdo komunë Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat duhet të vendosen në salla të mëdha apo në palestra sportive dhe që do të shërbejnë, ndër tjerash, edhe për numërimin e fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale.