KQZ vazhdon vizitat nëpër komuna, pritet në takim nga kryetari i Klinës, Elezaj

30/05/2024

Klinë, 30 maj 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmbylli ditën e dytë të takimeve me kryetarë të komunave në komunën e Klinës, ku delegacioni i KQZ-së, në përbërje të anëtarëve Ibrahim Selmonaj, Fazli Stollaj, drejtori për Operacione Zgjedhore, Haki Krasniqi dhe Zyrtari Ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Klinës, Driton Manaj, u pritën në takim nga kryetari, Zenun Elezaj.

Gjatë këtij tkaimi, u diskutua për mbështetjen e KQZ-së në ushtrimin e funksioneve të saj në komunën e Klinës, respektivisht të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve dhe për bashkëpunimin e domosdoshëm me qëllim të zbatimit të përgjegjësive tjera ligjore të Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve si dhe hapësira për adaptimin e Qendrave Komunale të Numërimit.

KQZ, në çdo komunë ushtron funksionin zyrtar përmes Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (ZEKKZ). Gjatë periudhës së zgjedhjeve, Zyrtari Ekzekutiv është Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve që themelohet nga përfaqësues të subjekteve politike të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale.

Përveç kësaj, me ligjin e ri KQZ do të themelojë në çdo komunë Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat duhet të vendosen në salla të mëdha apo në palestra sportive dhe që do të shërbejnë, ndër tjerash, edhe për numërimin e fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale.