KQZ vazhdon vizitat nëpër komuna, pritet në takim nga kryetari i Fushë Kosovës, Berisha

30/05/2024

Klinë, 30 maj 2024 – Delegacioni i KQZ-së, në përbërje të anëtarëve Alban Krasniqi, Sami Hamiti, drejtori i SKQZ-së, Burim Ahmetaj dhe Zyrtarja Ekzekutive e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Fushë Koosvë, Hyrije Dumani, zhvilloi takimin e radhës me kryetarin e komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha.

Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional, në kuadër të përgjegjësive ligjore që dalin nga LigKQji Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgithshme ishte tema e këtij takimi të radhës.

Gjithashtu, në këtë takim u theksua se mbështetja e KQZ-së, respektivisht trupave të saj zgjedhore, siç janë Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në çdo komunë, duke krijuar kushtet dhe hapësirën e nevojshme të punës për funksionimin e tyre, është e domosdoshme dhe ndikonë në cilësinë e proceseve zgjedhore qendrore dhe lokale.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve si dhe hapësira për adaptimin e Qendrave Komunale të Numërimit.

KQZ, në çdo komunë ushtron funksionin zyrtar përmes Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (ZEKKZ). Gjatë periudhës së zgjedhjeve, Zyrtari Ekzekutiv është Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve që themelohet nga përfaqësues të subjekteve politike të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale.

Përveç kësaj, me ligjin e ri KQZ do të themelojë në çdo komunë Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat duhet të vendosen në salla të mëdha apo në palestra sportive dhe që do të shërbejnë, ndër tjerash, edhe për numërimin e fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale.