KQZ vazhdon programin e trajnimit për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në regjionin e Pejës dhe Prizrenit
Pejë dhe Prizren, 7/8 tetor 2024 – Është duke vazhduar programi trajnues për anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve të cilët janë emëruar nga KQZ për procesin e Zgjedhjeve për Kuvedin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Gjatë këtyre ditëve, seancat e trajnimit janë mbajtur për anëatarëve e KKZ-ve nga komunat: Pejë, Deçan, Junik, Istog, Klinë, Prizren, Dragash, Mamushë dhe Suharekë.
Zhvillimi i këtij programi, i cili aplikohet në çdo process zgjedhor, ka për qëllim informimin dhe njoftimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore gjatë ushtrimit të mandatit të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Gjatë programit të trajnimit, vëmendje e madhe do t’i kushtohet ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2023.
Në ditët në vazhdim, programet e trajnimit do të mbahen edhe në regjionet tjera, si: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë.
Në muajin shtator, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka emëruar rreth 250 anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së, duke garantuar ligjshmëri, legjitimitet dhe efikasitet të procesit zgjedhor.