KQZ mori pjesë në konferencën për rolin e trupave zgjedhore në rritjen e integritetit publik për financimin e subjekteve politike

01/12/2023

Prishtinë, 1 dhjetor 2023 – Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi mori pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës për rolin e trupave zgjedhore në rritjen e integritetit publik në financimin e subjekteve politike.

Pjesë e këtij paneli ishte edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi dhe Nëkryetarja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, Ditmire Shehu.

Kryesuesi Radoniqi paraqiti para të pranishmëve punën e KQZ-së dhe të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar në përmbushjen e obligimeve ligjore për finacimin e subjekteve politike. Ai bëri të ditur se KQZ, përmes Zyrës, ka përmbyllur publikimin e raporteve vjetore financiare të partive politike të audituara për vitet 2021 dhe 2022 si dhe të raporteve të deklarimit financiar të fushatës së Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (14 shkurt 2021) dhe Zgjedhjeve Lokale për Kuvende Komunale dhe dy raundet për Kryetarë të Komunave (17 tetor 2021 dhe 5 nëntor 2021).

Ai njoftoi se me plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Financim të Subjekteve Politike, procesi i auditimit është rikthyer në KQZ, konkretisht si një përgjegjësi e Zyrës për të përzgjedhur përmes konkursit auditorë të licencuar që auditojnë këto raporte.

“Gjetjet nga raportet përfundimtare të auditimit janë në fazën e vlerësimit, ku Zyra është duke realizuar takime me auditorët e licencuar, për t’i diskutuar secilën gjetje, për të cilat në fund, do të rezultojnë me shqiptimin e gjobave varësisht shkeljeve”, tha Radoniqi, duke shtuar se në bazë të gjetjeve, raportet përfundimtare të auditimit, që përmbajnë dyshime për parregullsi, do të dorëzohen në institucionet përkatëse të zbatimit të ligjit, siç është përcaktuar në ligjin për financimin e subjekteve politike.

Po ashtu, pjesë e paneleve të kësaj konference të orgaizuar nga KDI, ishte edhe Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subkjekteve Politike, Besnik Buzala, ndërkaq pjesë e konferencës ishte edhe Zyrtarja e Lartë për Parti dhe Subjekte Politike në këtë Zyre, Mergita Kryeziu.

Gjatë prezantimit të tij, Buzhala paraqiti të dhëna më të detajuara nga procesi i auditimit të raporteve vjetore financiare të partive politike për vitet 2021 dhe 2022 dhe auditimin e raporteve të deklarimit financiar të fushatës së zgjedhjeve paralamentare dhe lokale të vitit 2021.

Sipas tij, janë audituar 219 raporte financiare dhe nuk ka më asnjë raport i cili nuk i është nënshtruar këtij procesi.