KQZ-ja miratoi listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit në katër komuna

14/04/2023

Prishtinë, 14 prill 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, ku u morën disa vendime në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.

Në kuadër të përgatitjeve tjera për organizimin e këtyre zgjedhjeve, KQZ-ja miratoi listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit. Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime. Lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë.

Në vazhdim të të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për rritjen e numërimit të votuesve për vendvotime deri në 2,000 votues për një vendvotim.

Po ashtu, në këtë mbledhje, në kuadër të këtyre përgatitjeve, KQZ-ja mori vendim për caktimin e numrit të fletëvotimeve që do të shtypen. Bazuar në listën përfundimtare të votuesve, numri i votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në këto katër komuna është 45,095, ndërsa KQZ-ja mori vendim që të shtypen 43,500 fletëvotime, pra 1,595 apo 3.5% fletëvotime më pak se votues. KQZ-ja caktoi edhe numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet e parakohshme për kuvendin komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit, e që sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje do të shtypen 19,500 fletëvotime, pra 816 apo 4% fletëvotime më pak se votues. Kjo praktikë e shtypjes më pak fletëvotime se numri i votuesve është ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Në fund të mbledhjes, KQZ-ja mori endim edhe për miratimin e propozimeve për anëtarë të Këshillave të Vendvotimit për zgjedhjet e 23 prillit në katër komuna.