KQZ fillon fushatën informuese për shërbimin “Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit” në komunën tuaj

24/11/2023

Prishtinë, 24 nëntor 2023 – Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillojë fushatën informuese për shërbimin që ua ofron qytetarëve me të drejtë vote që votojnë në Republikën e Kosovës.

Duke filluar nga dita e sotme, qytetarët me të drejtë vote do të mund ta gjejnë dhe nëse duan edhe ta ndërrojnë Qendrën e Votimit brenda komunës së styre.

Ky shërbim i KQZ-së do të jetë i përhershëm, pra do të bëhet i mundur edhe në periudhë jozgjedhore. Platforma Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit është e vendosur në ueb faqen e KQZ-së: www.kqz-ks.org ose mund të gjindet direkt në: eomp.kqz-ks.org. Përmes kësaj platforme, është e mjaftueshme që vetëm duke shënuar numrin e identifikimit dhe mënjëherë do të shfaqen të dhënat për qendrën e votimit.

Fillimisht, në konferencën e organizuar me rastin e fillimit të kësaj fushate, Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se me qëllim të zbatimit të detyrimeve që dalin nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, KQZ është duke punuar në përgatitjen e akteve nënligjore apo Rregulloreve Zgjedhore për administrimin dhe organizimin e zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke i trajtuar me shumë shumë seriozitet ndryshimet ligjore që dalin nga ky ligj dhe se po ndërmerr hapa konkretë në zbatimin e tyre. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, në nenin 8, saktëson se Lista e votuesve do të jetë publike edhe në vitet jozgjedhore, ku votuesit do të kenë mundësi që të njoftohen lidhur me qendrat e votimit dhe të kërkojnë ndërrimin e tyre. Prandaj, me qëllim të zbatimit të kësaj dispozite të ligjit të ri, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon këtë shërbim për qytetarët me të drejtë vote në Republikën e Kosovës”, tha Radoniqi.

Më tej, Radoniqi tha se përmes shërbimeve të tilla, KQZ-ja mundohet t’i shërbejë rritjes së integritetit dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor.

“Siç e dini, puna e KQZ-së nuk përfundon me certifikimin e rezultatave përfundimtare të një procesi zgjedhor. Por, menjëherë fillojnë angazhimet për të avancuar procesin e ardhshëm zgjedhor dhe për të evituar mangësitë eventuale. Në këtë drejtim, përmirësimi i shërbimeve dhe përpjekja për të ecur në hap me kërkesat në këtë kohë të zhvillimeve të mëdha teknologjike, ka qenë në fokus të angazhimit të përhershëm të KQZ-së. Përmes këtyre shërbimeve, duam që si institucion t’i shërbejmë rritjes së integritetit të procesit zgjedhor, por edhe të besueshmërisë së qytetarëve dhe akterëve të tjerë. Përgjatë këtyre viteve, KQZ-ja ka bërë përparime të mëdha në fushën e zgjedhjeve, duke ndihmuar në fuqizimin e demokracisë në vendin tone”, shtoi Radoniqi.

Ndërkaq, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi shpjegoi se përmes ofrimit të shërbimit ‘Gjej dhe ndëro Qendrën e Votimit’, KQZ-ja ua mundëson qytetarëve me të drejtë vote që ta mësojnë qendrën e tyre të votimit, por edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar vetën që të votojnë sa më afër adresës së vendbanimit të tyre.

“Platforma Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit është vendosur në ueb faqen e KQZ-së: www.kqz-ks.org. Në këtë platformë, është e mjaftueshme që të shënohet vetëm numri i identifikimit dhe menjëherë do të shfaqen të dhënat për qendran aktuale të votimit. Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës së tij, këtë mund ta bëjë duke klikuar në butonin “dërgo kërkesën për ndryshim”. Në këtë rast, votuesi mund të zgjedhë Qendrën e Votimit që është më afër adresës së vendbanimit të tij, në mënyrë që aty të mund të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Pasi votuesi të zgjedhë Qendrën e Votimit ku dëshiron të caktohet, ai duhet të plotësojë edhe të dhënat që kërkohen: Adresa e vendbanimit, e-mail adresa dhe të bashkangjes një kopje të dokumentit të identifikimit. Pasi kërkesa të dërgohet për shqyrtim në KQZ, brenda një kohe të shpejtë do të marrë përgjigje”.

Po ashtu, përveç platformës online, ndërrimi i Qendrës së Votimit mund të bëhet edhe në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, varësisht se në cilën komunë është votuesi.