KQZ e Kosovës pjesëmarrëse në konferencën e KQZ së Shpërisë për analizën e zgjedhjeve vendore 2023

14/12/2023

Vlorë, 14 dhjetor 2023 – Me ftesë të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në përbërje të Kryesuesit, Kreshnik Radoniqi dhe dy anëtarëve, Ilir Gashi dhe Ibrahim Selmanaj, po marrin pjesë në konferencën e organizuar nga KQZ e Republikës së Shipërisë me temën: “Analiza e zgjedhjeve vendore 2023”.

Në këtë punëtori, e cila po mbahet në qytetin e Vlorës, përveç drejtuesve të KQZ-së së Shqipërisë, po marrin pjesë edhe përfaqësues të Prezencës së OSBE në Shqipëri si dhe nga zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Kryesuesi i KQZ-së së Kosovës, Radoniqi, mbajti një fjalë përshëndetëse, me ç’rast kujtoi bashkëpunimin e jashtëzakonshëm mes dy institucioneve, i cili është reflektuar edhe në mbështetje logjistike apo edhe në vëzhgimin e zgjedhjeve.

Në fjalën e tij, Radoniqi u ndalë më gjatë në vëzhgimin e zgjedhjeve të fundit në Republikën e Shqipërisë, të cilat u mbajtën më 14 maj 2023, ku anëtarët dhe zyrtarët e KQZ-së kanë qëndruar në një numër të madh të qendrave të votimit në bashki të ndyrshme për të parë nga afër procesin zgjedhor.

“Natyrisht se në interesin tonë ishte çdo fazë e procesit zgjedhor, por kësaj radhe me shumë vëmendje i kemi kushtuar aplikimit të teknologjisë në procesin zgjedhor, konkretist votimit elektronik në disa bashki dhe identifikimit elektronik të votuesve. E përgëzojmë KQZ-në e Shqipërisë për hapin që ka hedhur në përdorimin e teknologjisë në procesin zgjedhor, pra votimit elektronik në disa bashki dhe identifikimit elektronik të votuesve”, tha Radoniqi.

Kryesuesi Radoniqi njoftoi pjesëmarrësit edhe me angazhimin aktual të KQZ-së, siç është hartimi i akteve nënligjore të cilat dalin si obligim pas miratimit të Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke theksuar se me këtë ligj janë shtuar përgjegjësitë e KQZ-së.