KQZ certifikon Listën Votuese brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, 9 shkurt 2025
Prishtinë, 4 janar 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e parë në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për certifikimin e Listës Votuese për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,075,868 votues.
Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,970,944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104,924 votues.
Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 903 Qendra të Votimit me gjithsej 2,533 Vendvotime, të shpërndara në 38 komuna.
Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme, si: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); ShBA (Washington – ambasadë; New York – konsullatë; Iowa – konsullatë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); Turqi (Ankara – ambasadë; Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë); dhe Australi (Kanbera – ambasadë).
Gjithashtu, për qëllim të organizimit të votimit jashtë Kosovës, kutitë postare do të happen në 22 shtete, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër. (Adresat e sakta të kutive postare do të publikohen nga KQZ deri më 9 janar 2025).