Konferenca e katërt: Mbyllen të gjitha vendvotimet, pjesëmarrja në votimë në Podujevë 40.51% dhe 39.14% në Mitrovicë të Veriut
Prishtinë, 29 nëntor 2020 – 20:00 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e katërt në Ditën e Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut.
Në këtë paraqitje të KQZ-së, u bë i ditur përmbyllja e procesit të votimit në këto dy komuna si dhe pjesëmarrja e votuesve.
Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 40.51% e votuesve 35 mijë e 400 nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 40 mijë e 162 votues apo 47.7%.
Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, kanë votuar 39.14% e votuesve apo 9 mijë e 124 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 269 votues apo 37.9%.
Në emër të KQZ-së, kryetarja Daka falënderoi qytetarët e këtyre komunave, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme në kohë pandemie, morën pjesë në votime dhe ndihmuan KQZ-në në zbatimin e masave mbrojtëse të institucioneve shëndetësore.
Daka falënderoi edhe Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit dhe Mediat për rolin e tyre gjatë ditës së zgjedhjeve.
Në fund, kryetarja e KQZ-së falënderoi edhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për punën e treguar deri më tani si dhe kërkoi prej tyre që të respektojnë ligjin dhe procedurat gjatë fazës në vijim: numërimin e fletëvotimeve dhe përmbylljen e procedurave të parapara me ligj.