Konferenca e katërt – KQZ: Mbyllen vendvotimet, votuan rreth 43% e votuesve

17/10/2021

 

Prishtinë, 17 tetor 2021, 19:30 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë për ditën e Zgjedhjeve Lokale. 

Në këtë konferencë, kryetari i KQZ-ë, Kreshnik Radoniqi bëri të ditur se procesi i votimit në Republikën e Kosovës. “Tashmë të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur. Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga më shumë se 95% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar gjatë ditës së sotme është rreth 43% apo 770,171 votues. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017 kishin votuar 822,484 votues apo 43.50% e votuesve”, bëri të ditur Radoniqi.

Kryetari i KQZ-së, tregoi se pas mbylljes së vendvotimeve ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve dhe u bëri thirrje anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit me qëllim që vullneti i qytetarëve të respektohet.

Ai falënderoi qytetarët e Republikës së Kosovës që morën pjesë në votime; Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor; dhe mediat që prezantuan procesin zgjedhor dhe punën e KQZ-së.