Mbledhja e 17-të: KQZ miratoi planin e veprimit për hartimin e strategjisë

03/06/2022

Prishtinë, 3 qershor 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 17-të për vitin 2022, të kryesuar nga Kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit të veprimit për hartimin e Planit Strategjik të KQZ-së. Sipas këtij plani të veprimit, synohet që brenda një periudhe kohore të përcaktohen dhe miratohen bazat/themelet strategjike të KQZ-së (vizioni, misioni dhe vlerat) si dhe të përcaktohen qëllimet strategjike të KQZ-së. Planifikimi strategjik është një nga metodat e përhapura që përdoret nga organizatat kur ato vendosin të përgatisin plane afatgjate. Po ashtu, nëpërmjet planifikimit strategjik definohet strategjia apo drejtimi që do të ndjek institucioni. Për të hartuar planin strategjik, u themelua grupi punues, i cili do të jetë në përbërje të anëtarëve të KQZ-së dhe zyrtarëve tjerë të Sekretariatit të KQZ-së.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja miratoi ftesën për vizitë studimore në Mal të Zi lidhur me përdorimin e sistemit elektronik të identifikimit të votuesve në këtë shtet. Kjo vizitë do të përkrahet dhe financohet nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Në fund të mbledhjes, KQZ-ja miratoi kërkesën për zëvendësimin e një anëtari të Kuvendit Komunal në Prizren.