Fillon numërimi i votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike

26/02/2025

Prishtinë, 26 shkurt 2025 – Të mërkurën pasdite, me fillim në orën 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve filloi procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në përfaqësitë diplomatike.

Gjatë prezantimit para mediave të këtij aktiviteti, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tregoi se më 8 shkurt 2025 është votuar në 30 përfaqësi diplomatike me gjithsej 43 vendvotime dhe sipas të dhënave nga 20,324 votues të regjistruar kanë votuar 75.57% e tyre apo 15,352 shtetas të Kosovës që gjatë regjistrimit kishin përzgjedhur këtë mënyrë votimi.

Procesi i numërimit është transparent dhe në  prezencë të vëzhguesve.

Pas përfundimit të numërimit të ndonjë vendvotimi, brenda një kohe të shpejtë rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas përfaqësive diplomatike, do të shfaqen në platformën http://rezultatet2025.net

Po ashtu, mediat u njoftuan se pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, KQZ është duke planifikuar që të fillojë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës. Sipas të dhënave, pas procesit të vlerësimit, janë aprovuar më shumë se 63 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime që do të numërohen.

Pas numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, në proces të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendvotime dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta.