Njoftim nga mbledhja e KQZ-së

Prishtinë, 13 shkurt 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 14-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje u prezantua nga raport nga Sekretariati i KQZ-së, lidhur me ecurinë e procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Në 4 QKN-të e komunave Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh, në të cilat numërimi ka filluar më 11 shkurt dhe në 14 QKN-të tjera të komunave Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit ku numërimi ka filluar më 12 shkurt, janë numëruar 114 vendvotime, u tha në mbledhje të KQZ-së.
Në pjesën tjetër të raportit të SKQZ-së u njoftua edhe lidhur me procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht votimi përmes postës, i cili ka filluar më 9 shkurt 2025.
Deri më tani, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar 8,776 zarfe apo pako me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 8,247 pako, ndërsa 529 janë refuzuar për arsye të ndryshme, si:
– Janë anuluar gjatë regjistrimit: 395;
– Më shumë se një fletëvotim brenda zarfit: 34;
– Mungon vula/ pulla postare: 5;
– Shteti i ndryshëm e dërgimit të zarfit nga shteti ku votuesi është regjistruar: 16;
– Vetëm dëftesa (pa fletëvotim) 50;
– Ka dërguar zarfin me fletëvotim më shumë se një herë: 29.
Gjatë periudhës së votimit përmes postës, KQZ ka pranuar 68,712 pako me fletëvotime, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar për votim përmes ishte 84,600.
Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104,924, prej të cilëve 20,324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.