Konferenca e pestë – KQZ: Nuk po arrijmë t’i transmetojmë rezultatet preliminare përmes platformës elektronike

09/02/2025

Prishtinë, 9 shkurt 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e pestë në ditën e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Në këtë konferencë, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi lidhur me pengesat për të publikuar rezultateve preliminare për subjeket politike pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime.

“Ju njoftojmë se pas shumë përgatitjeve dhe testimeve që kemi bërë, gjithçka ishte gati që sot të transmetojmë rezultatet prelimnare për subjektet politike ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën. Por, për arsye se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar, ne nuk po arrijmë që t’i transmetojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike. Andaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët me shumë të drejtë kanë pritur që të mësojnë rezultatet preliminare të votimeve nga dita e sotme”, tha Radoniqi.

Më tej, kryesuesi Radoniqi njoftoi se në këto rrethana, KQZ ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të mbledhë të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendovotimet përmes formularëve të rezultateve për subjektet politike të cilat tashmë janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

“Sigurojmë qytetarët e Kosovës se mostransmetimi i të dhënave apo rezultateve preliminare për subjektet politike përmes platformës elektronike, nuk ka asnjë ndikim në rezultatet të cilat tashmë janë pjesë e këtyre formularëve dhe pasi t’i grumbullojmë në mënyrë manuale do t’i publikojmë”, njoftoi Radoniqi.