Konferenca e katërt – KQZ: Mbyllen vendvotimet në Republikën e Kosovës

09/02/2025

Prishtinë, 9 shkurt 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e katër në ditën e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Në këtë konferencë, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se procesi i votimit në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës është përmbyllur në kohë dhe sipas parashikimeve të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në këtë konferencë, mediat dhe qytetarët u njoftuan për pjesëmarrjen në votime nga 90.67% e vendotimeve apo 2,297 nga 2,533 vendvotime dhe se këto të dhëna do të përditësohen pasi në platformë të ngarkohen të dhënat për vendvotimet që mungojnë.

“Në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025, kanë votuar 40.04% apo 789,172 votues nga 1,970,944 shtetas me të drejtë vote”, njoftoi Elezi.

Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2021, kishin votuar 46.90% apo 827 mijë e 984 votues.

Gjithashtu, në këtë konferencë u bë e ditur se ka filluar numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike dhe KQZ u bëri thirrje anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që të kryejnë me përpikëri rolin e tyre dhe të numërojnë saktë çdo votë të qytetarëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve falënderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në votime duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe këshillat e vendvotimeve për angazhimin e tyre gjatë ditës së zgjedhjeve.

KQZ falënderoi për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre të madh gjatë ditës së zgjedhjeve edhe Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, institucionet tjera dhe mediat për raportimet nga terreni.

Gjithashtu, në fund të konfernecës u bë e ditur se në platformën elektronike të rezultateve do të fillojnë të prezantohen në mënyrë të vazhdueshme rezultatet preliminare për subjektet politike pasi të përfundon numërimi në ndonjë vendvotim.