Konferenca e dytë – KQZ: Deri në orën 11:00 votuan 8.58% e votuesve

Prishtinë, 9 shkurt 2025– Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e dytë në ditën e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Në këtë konferencë, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi njoftoi se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit është duke vijuar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë problem.
Më tej, sipas Radoniqit, në rastet kur është paraqitur ndonjë paqartësi, KQZ ka ndërhyrë dhe ka udhëzuar personat e autorizuar për mbarëvajtjen e procesit të votimit në vendvotime.
Radoniqi njoftoi për pjesëmarrjen e votuesve deri në orën 11:00 duke u mbështetur në të dhënat nga 92.49% e vendvotimeve apo 2,343 nga gjithsej 2,533.
“Deri në orën 11:00 kanë votuar 8.58 % apo 169,650 mijë votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944”, tha Radoniqi.
Ai shtoi se deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2021, kishin votuar 8.30% apo 145,650 votues.
#
Konferenca e tretë e KQZ-së mbahet në orën 15:30, në të cilën është planifikuar të paraqitet pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor deri në atë kohë.