KQZ: Deri në orën 19:00 në përfaqësitë diplomatike votuan 71.16% e votuesve

08/02/2025

Prishtinë, 08 shkurt 2025 – 20:30 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbjajti konferencën e katërt për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

Në këtë konferencë u bë e ditur se në orën 19:00 dhe 20:00 sipas kohës lokale në vendin tonë, ka përfunduar votimi në 26 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 17 shtete të ndryshme dhe se procesi i votimit është duke vazhduar në katër përfaqësitë tjera, të vendosura në ShBA dhe Kanada dhe pritet të përfundojë në orën 01:00 sipas kohës lokale në vendin tonë.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha para mediave se duke u mbështetur në komunikimin e vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike, procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë vështirësi dhe pa probleme.

“Falënderojmë të gjithë qytetarët që morën pjesë në votim dhe gjithashtu, me me këtë rast, dua t’i falënderoj anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe zyrtarët e përfaqësive diplomatike për angazhimin e tyre të madh në këtë ditë”, tha Radoniqi.

Ai poashtu, njoftoi se nga 20 mijë e 324 votues që ishin të regjistruar paraprakisht për të votuar në këto përfaqësi dhe nga të dhënat që kemi për pjesëmarrjen deri në orën 15:00 në ShBA dhe Kanadë, ju njoftojmë se në këtë proces zgjedhor kanë votuar 14,463 votues, apo 71.16%.