Mbledhja KQZ-së: Pezullimi i partisë politike USB; miratimi i rregullores për procedurën e përzgjedhjes së Drejtorit të Zyrës

19/10/2022

Prishtinë, 19 tetor 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ku u morën disa vendime.

  • KQZ-ja shqyrtoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim për pezullimin e partisë politike Ujedinjena Stranka Bošnjaka (USB), e cila nuk ka mbajtur deri më tani kuvendin zgjedhor. Partitë politike, sipas Rregullës Zgjedhore për regjistrimin dhe veprimin e partive politike, janë të obliguara që ta informojnë Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC) se kanë mbajtur kuvendin. Partia politike Ujedinjena Stranka Bošnjaka (USB), e regjistruar më 2 shtator 2010 dhe me kryetar z. Afit Zulji, ka bërë kërkesë për shtyrjen e mbajtjes së kuvendit zgjedhor dhe është miratuar nga KQZ-ja duke i dhënë afat shtesë deri më 8 tetor 2022. Në mbledhjen e mbajtur më 19 tetor 2022, KQZ-ja miratoi rekomandimin e Zyrës për të pezulluar këtë parti politike dhe duke i dhënë një afat shtesë prej 45 ditësh për të organizuar dhe mbajtur kuvendin zgjedhor.
  • Pas ndryshimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit për financim të subjekteve politike, KQZ-ja shqyrtoi dhe miratoi Rregulloren nr. 01/2022 për procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të Drejtorit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
  • Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja shqyrtoi dhe miratoi buxhetin për organizimin e dy punëtorive të ndryshme: Identifikimi i shtyllave dhe synimeve strategjike” dhe “Përmirësimi i listës së votuesve”.
  • Po ashtu, KQZ-ja shqyrtoi dhe mori disa vendime të tjera, si në vijim:
    – Vendim për miratimin e raportit nëntmujor financiar për periudhën 1 janar – 30 shtator 2022;
    – Vendim për miratimin e udhëzimit adminitrativ për menaxhimin e pasurive jofinanciare të KQZ-së;
    – Vendim për miratimin e kërkesës buxhetore e Departamentit të Teknologjisë Informative;
    – Vendim për zëvendësimin e anëtarit të Kuvendit Komunal në Podujevë.