Përmbyllet afati për deklarim të pjesëmarrjes në zgjedhje përmes Koalicionit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për Partitë Politike të cilat kërkojnë certifikim për pjesëmarrje përmes Koalicionit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.
Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (27 – 30 gusht) në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim janë deklaruar këto Parti Politike se do të kërkojnë certifikim përmes Koalicionit:
Koalicioni Vakat, i deklaruar ndërmjet 3 Partive Politike: Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka;
Koalicioni AAK–PSD, i deklaruar ndërmjet 2 Partive Politike: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate;
Koalicioni NISMA–AKR–PD, i deklaruar ndërmjet 3 Partive Politike: Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë; dhe
Koalicioni Sloboda, i deklaruar ndërmjet 2 Partive Politike: Progresivna Stranka Kosova dhe Nova Partija Kosova.
Ju njoftoj se ky kjo është vetëm periudha për deklarim të pjesëmarrjes në zgjedhje përmes Koalicionit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjitha Subjektet Politike (Partitë Politike, Kandidatët e Pavarur, Koalicionet dhe Iniciativat Qytetare) të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës më 6 tetor se afati i aplikimit për certifikim për Subjekte Politike dhe Kandidatët e tyre përfundon më 6 shtator.
Kërkesat për certifikim duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri 18:00, ndërsa në ditën e fundit të afatit aplikimet mund të dorëzohen deri në orën 24:00.
[foogallery id=”12183″]