Njoftim nga mbledhja e Këshillit për Operacione Zgjedhore të KQZ-së

Në kuadër të përgatitjes së mbledhjes së ardhshme të KQZ-së, që do të caktohet së shpejti, u mbajt mbledhja e Këshillit për Operacione Zgjedhore, që përbëhet nga pesë anëtarë të KQZ-së.
Në këtë mbledhje, të kryesuar nga anëtari, Arianit Elshani, u diskutua për organizimin e një punëtorie në bashkëpunim me Komisionin e Venecias në javën e fundit të muajit qershor të këtij viti.
Komisioni i Venecias ofron asistencë para ose pas zgjedhjeve gjatë të cilave merr pjesë në misione vëzhgimi të Asamblesë Paramentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe qëllimi i kësaj punëtorie është që të ndihmojë analizën paszgjedhore dhe të kontribuojë në forcimin e integritetit dhe funksionalitetit të proceseve zgjedhore në Kosovë.
Në vazhim të mbledhjes së Këshillit, u diskutua edhe për përgatitjet për procesin e shkatërrimit të materialit zgjedhor nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025.
Në mesin e materialeve që do t’i nënshtrohen shkatërrimt janë fletëvotimet, listat e votuesve, formularët e rezultateve të subjekteve dhe të kandidatëve, e të tjera.
Mbledhja e KQZ-së ku do të vendoset për këto tema, do të caktohet së shpejti dhe mediat do të njoftohen me kohë.
Në bazë të Rregullores së Punës, brenda KQZ veprojnë 5 këshilla të përhershëm (Këshilli për Operacione Zgjedhore; Këshilli për Çështje Ligjore; Këshilli për Personel; Këshilli për Buxhet dhe Financa; Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë) dhe Komiteti i Auditimit.
Roli i Këshillave është të shqyrtojë çështje të ndryshme dhe të përgatiten rekomandime apo raporte për miratim në KQZ.