Njoftim nga mbledhja e 60-të: KQZ vazhdon përgtitjet për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës
Prishtinë, 7 nëntor 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 60-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në fillim të mbledhjes u prezantua raporti lidhur me ecurinë e zbatimit të planit të aktiviteteve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendi ne Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
- Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 7 nëntor 2024, në orën 09:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar rreth 14,030 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 13,033, ndërsa 988 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.
- Gjithashtu, është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 7 nëntor 2024, në orën 09:00, janë pranuar 1,594 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit (1,171 përmes platformës elektronike http://qv.kqz-ks.org dhe 353 në zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve) prej të cilave janë aprovuar 1,482 kërkesa, ndërsa 42 të tjera janë refuzuar.
- Është duke vazhduar edhe periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 28 dhjetor 2024. Gjatë kësaj periudhe, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, përfshirë edhe rastet kur pretendon se ndonjë emër i votuesit nuk duhet të figurojë në këtë listë, qoftë edhe rastet kur figuron emri i ndonjë personi të vdekur, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj përmes sistemit elektronik apo duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse. Deri më tani, nuk është pranuar ndonjë kërkesë për kundërshtim.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e listës së Qendrave të Votimit për Zgjdhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në 38 komuna të Republikës së Kosovës të cilat do të zhvillohet procesi i votimit është 941, prej të cilave 38, nga një e tillë për çdo komunë, do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për regjistrimin e partisë politike Bashkimi Demokratik me akronim BD. Më 18 tetor 2024, iniciativa politike e quajtur Bashkimi Demokratik (BD), udhëheqës i së cilës është z. Ajvaz Berisha, ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim. Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) ka shqyrtuar dhe verifikuar të gjithë dokumentacionin e dorëzuar, përfshirën statutin, programin, aktin e themelimit, simbolin, raportin financiar dhe librezën e nënshkrimeve të përkrahjes së votuesve të regjistruar. Zyra ka shpallur për shqyrtim publik në faqen zyrtare të KQZ kërkesën e kësaj iniciative politike nga data 22 tetor – 28 tetor 2024. Gjatë periudhës së shqyrtimit publik, Zyra nuk ka pranuar asnjë ankesë që ndërlidhet me aplikimin për regjistrim të kësaj iniciative politike. Bashkimi Demokratik (BD) do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara në Kosovë me numrin rendor 54.