Njoftim nga mbledhja e 45-të: KQZ miraton raportin e Listës Preliminare të Vouesve

29/08/2024

Prishtinë, 28 gusht 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 45-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, anëtarët e KQZ-së u njoftuan lidhur me aktivitetet e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) në kuadër të zbatimit të planit të aktiviteteve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

  • Sipas njoftimit të prezantuar në këtë mbledhje, deri më tani vetëm dy parti politike, Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, kanë njoftuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje përmes koalicionit. Afati i fundit për partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht (16:00) të njoftojnë KQZ-në, respektivisht ZRCKFSP.
  • Gjithashtu, në këtë mbledhje u njoftua se deri më tani në ZRCKFSP partia politike Partia Demokratike e Diasporës ka njoftuar se nuk dëshiron të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhje. Afati për partitë politike për njoftim të mospjesëmarrjes në zgjedhje përfundon më 30 gusht 2024 (16:00).

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ shqyrtoi dhe miratoi raportin e Listës Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,047,148 votues, pra 161,700 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Lokale 2021, të mbajtura me datë 17 tetor 2021.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025 është: 209,878 votues, prej të cilëve:

  • 124,366 votues mund të konsiderohen si votues të rinj që pas Zgjedhjeve Lokale, të mbajtura me datën 17.10.2021, kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025 dhe shtetas të cilët posedojnë certifikata të Republikës së Kosovës nga ekstrakti i Departamenti i Gjendjes Civile;
  • 85,512 votues mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, pra votuesit që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës, votuesit e regjistruar për votim jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021 dhe shtetas të cilët posedojnë certifikata të Republikës së Kosovës nga ekstrakti i DGJC.

Me qëllim të saktësimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të disa çështjeve që kanë të bëjnë me listën e Qendrave të Votimit jashtë Kosovës për votim në përfaqësi diplomatike, KQZ vendosi që të shtyjë për mledhjen e radhës pikën e rendit të ditës për shqyrtimin dhe miratimin e listës së këtyre qendrave dhe caktimit të numrit maksimal të votuesve.