Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit: KQZ – PSh – PK – KGjK – PZAP – KPM
Prishtinë, 30 shtator – Sot, drejteusit e gjashtë institucione të Republikës së Kosovës (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; Prokurori i Shtetit; Policia e Kosovës; Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Komisionit të Pavarur për Media) nënshkruan Memoradumin e Bashkëpunimit për procesin zgjedhor.
Në këtë ceremoni të organizuar nga Demokraci dhe Zhvillim (D4D) mori pjesë edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka e cila mbajti një fjalë rasti. Ajo tha me këtë rast se kjo marrëveshje është tregues i qartë i vullnetit të përbashkët të të gjitha institucioneve për të bashkëpunuar me qëllimin që proceset zgjedhore të zhvillohen në përputhje me ligjin, por edhe të reagojmë kur cënohet integriteti i tyre dhe e drejta e votës.
“Sipas Kushtetutës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka barrën kryesore për organizimin e proceseve zgjedhore në Republikën e Kosovës, por jemi të vetëdijshëm se bashkëpunimi ndër-institucional është i domosdoshëm për t’i shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, tha Daka.
Edhe drejtuesit tjerë të institucioneve nënshkruese të këtij memorandum u shprehën për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve gjatë të gjitha fazave të procesit zgjedhor.
Qëllimi i memorandumit është i shprehur në nenin 1 të tij. Në këtë nen thuhet se qëllimi i këtij memorandum është ngritja e nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm institucional për parandalimin e shkeljeve ligjore si dhe hetimin, ndjekjen dhe gjykimin efikas të të gjitha rasteve që bien ndesh me ligjet, rregullat zgjedhore apo veprat penale kundër të drejtave të votimit në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.