Konferenca e parë, KQZ: Hapen të gjitha qendrat e votimit në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Lespoaviq dhe Zubin Potok

23/04/2023

Prishtinë, 23 prill 2023, 08:00 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e parë në Ditën e Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se sipas planifikimeve me planin operacional, në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, për në të gjitha qendrat e votimit.

“Sipas informacioneve të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto komuna, janë hapur në kohë të gjitha qendrat e votimit. Gjithsej janë 19 qendra votimi, prej të cilave 6 janë të rregullta dhe 13 alternative, ndërsa numri i qytetarëve me të drejtë vote është 45,095 votues”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

Konferenca e dytë e KQZ-së do të mbahet në orën 11:30, në të cilën do të bëhet e ditur ecuria e procesit të votimit dhe pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje.