Konferenca e katërt – KQZ: Iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar

22/04/2024

Prishitnë, 21 prill 2024 – 19:30 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e katërt për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Në këtë konferecë u njoftua se procesi i votimit ka përfunduar dhe në orën 19 janë mbyllur të 23 Qendrat e Votimit.

Gjithashtu, KQZ publikoi të dhënat lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e votimit në këto katër komuna, si në vijim:

  • Në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%;
  • Në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%;
  • Në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209 pra kemi 0%;
  • Në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

Në prezencë edhe të anëtarëve të tjerë, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi njoftoi se “Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”.

Më tej, ai shtroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkundër sfidave, është angazhuar maksimalisht dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të organizuar procesin e votimit në këto komuna, duke dëshmuar përkushtimin e madh që qytetarëve t’iu mundësojë realizimin e të drejtës së tyre demokratike dhe ligjore.

Në përfundim të konferencës, KQZ fanderoi akterët tjerë institucional dhe vëzhguesit që ndihmuan KQZ-së në organizimin e këtij procesi si dhe mediat për punën e tyre në informimin e vazhdueshëm që ofruan nga terreni.