Këto janë afatet e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetar të katër komunave dhe për anëtarë të dy kuvendeve komunale

09/03/2023

Prishtinë, 9 mars 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me zbatimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.

Në mbledhjen e mbajtur më 8 shkurt 2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte marrë vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve si dhe planin operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Ndërsa, në mbledhjen e mbajtur sot, më 9 mars 2023, KQZ-ja mori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të datës 8 shkurt.

Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në këto zgjedhje është ndryshuar. Ky afat, sipas vendimit të ndryshuar të KQZ-së, do të përfundojë më 22 mars 2023 dhe u mor me qëllim të krijimit të një kohë më të gjatë në dispozicion të subjekteve politike për të aplikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Po ashtu, KQZ-ja ka shtyrë edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna deri më 22 mars 2023.