Kryesuesi Radoniqi pranoi raportin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet e 9 shkurtit

15/05/2025

Prishtinë, 14 maj 2025 – Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, priti në takim shefen e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Në fillim të takimit, Radoniqi falënderoi Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE për angazhimin e tyre në përcjelljen nga afër të punës së KQZ-së dhe të gjithë procesit zgjedhor.

Gjatë takimit, Radoniqi theksoi se për KQZ-në vëzhguesit e zgjedhjeve kanë një rol të pazëvendësueshem në rritjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe besueshmërisë së qytetarëve. Ndërkaq, duke folur në veçanti për Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE, Radoniqi theksoi rëndësinë e madhe që kanë për shtetin e Kosovës vlerësimet pozitive për organizimin e zgjedhjeve dhe përmbushjen e standardeve demokratike, të cilat vijnë nga një mision europian.

Radoniqi siguroi eurodeputeten Loiseau se KQZ do të trajtojë me seriozitet raportin dhe rekomandimet që janë paraqitur.

Në fjalën e saj, znj. Loiseau u fokusua në rekomandimet kryesore të cilat janë dhënë nga misioni europian për përmirësimin e disa aspekteve që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

Po ashtu, shefja e MVZ-së, falënderoi KQZ-në dhe institucionet tjera për hapësirën dhe bashkëpunimit gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë.