Njoftim nga mbledhja e KQZ-së: Akreditimi i vëzhguesve dhe vendimi për mbylljen e Qendrave të Votimit në përfaqësitë diplomatike në Ankara, Kanbera dhe Iowa

29/01/2025

Prishtinë, 28 janar 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e tetë në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, KQZ akeditoi grupin e radhës prej 1,680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, prej të cilëve:

  • 13 vëzhgues të Trupave të Menaxhimit të Zgjedhjeve nga shtete të ndryshme;
  • 81 vëzhgues të përfaqësive të vendeve të huaja të akredituara në Kosovë;
  • 1,126 vëzhgues nga OJQ-të vendore;
  • 393 vëzhgues nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe
  • 67 vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim që procesi i votimit të mos organizohet në Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomtike të vendosura në Ankara (Turqi), Kanbera (Australi) dhe Iowa (ShBA) për shkak se janë regjistruar numër i ulët i votuesve, 25, 18, përkatësisht 32 votues. Të gjithë këta votues të regjistruar do të mund të votojnë përmes postës, duke dërguar pakon me fletëvotim në kutitë postare që janë hapur në këto shtete nga KQZ.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ miratoi sloganin e institucionit për fushatën informuese të Zgjedhjeve për Kuendin e Kosovës, i cili është: Vota jote për Kosovën!