Zyrtarët e KQZ-së dhe shoqërisë civile në SHBA marrin pjesë në programin e Zyrës së Kongresit Amerikan për Lidership Ndërkombëtar

ShBA, 26 mars – 5 prill 2025 – Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe përfaqësues të shoqërisë civile vizituan Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të “Open World Program” i administruar nga Zyra e Kongresit Amerikan për Lidership Ndërkombëtar (COIL).
Delegacioni i KQZ-së, i përbërë nga Burim Ahmetaj, Valmir Elezi, Nexhmedin Hyseni, Vuksan Vuksanovic, si dhe përfaqësuesja e Institutit Demokratik të Kosovës, Violetë Haxholli, me mbështetje nga përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Laura Bajrushi, fillimisht qëndroi në Uashington, DC.
Gjatë kësaj kohe, në Bibliotekën e Kongresit u organizuan disa sesione të ndryshme, ku u prezantuan praktikat e qeverisjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë për funksionimin e federalizmit amerikan dhe rolin e udhëheqjes në kuadër të kulturës amerikane.
Pjesa e dytë e programit për zyrtarët e KQZ-së u zhvillua në shtetin e Pensilvanisë, ku u prezantua modeli amerikan i votimit dhe praktikat e menaxhimit të procesit zgjedhor.
Gjatë qëndrimit disaditor, u organizuan takime të shumta, me drejtues të institucioneve qëndrore dhe lokale, me të cilët u diskutua për mënyrën se si ushtron veprimtarinë Qeveria e shtetit të Pensilvanisë, por edhe me drejtues të institucioneve lokale që merreshin me organizimin e zgjedhjeve.
Më 2 prill, delegacioni i KQZ-së u prit në takim nga senatori i shtetit të Pensilvanisë, Joe Pittman dhe ndoqi fillimin e seancës së Senatit të këtij shteti. Z. Pittman, bëri prezantimin e delegacionit nga Republika e Kosovës, të cilët u nderuan me duatrokitje nga senatorët tjerë (Video zyrtare: https://vimeo.com/1071503551/534aae9f01).
Në të njëjtën ditë, delegacioni nga Kosova u pritën në takim edhe nga Sekretari i Shtetit të Pensilvanisë, Al Schmidt, i cili prezantoi rolin e tij në organizimin e zgjedhjeve, si institucion qëndror.
Shumëllojshmëria e proceseve zgjedhore në ShBA është karakteristikë që pasqyron diversitetin politik dhe territorial të vendit. Sipas modelit amerikan, shtetet kanë praktikat e veta zgjedhore, që dallojnë nga njëri-tjetri.
Delegacioni nga Kosova, për disa ditë më radhë pa nga afër karakteristikat e organizimit të procesit zgjedhor në qarqe të ndryshme zgjedhore në shtetin e Pensilvanisë, si në kauntet Indiana, Armstrong dhe Butler.
Komisionerët zgjedhorë të këtyre kaunteve, prezantuan modelet e organizimit të zgjedhjeve dhe sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë proceseve zgjedhore. Përgatitja e listës së votuesve, fushatat zgjedhore dhe informuese, votimi me postë, votimi i hershëm, votimi në vendvotime, numërimi i fletëvotimeve, ankesat e kandidatëve dhe certifikimi i rezultateve zgjedhore, ishin disa nga temat qëndrore të diskutuara dhe prezantuara në këto takime.
Po ashtu, delegacioni nga Kosova në disa raste pa nga afër funksionimin e makinave për numërimin e fletëvotimeve.