KQZ vazhdon vizitat nëpër komuna, pritet në takim nga kryetari i Kamenicës, Rahimaj

14/06/2024

Kamenicë, 14 qershor 2024 – Në ditën e shtatë të vizitave nëpër komuna të Kosovës, delegacioni i KQZ-së në përbërje të anëtarëve Sami Kurteshi dhe Gordana Laban, drejtorit për operacione zgjedhore, Haki Krasniqi dhe Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, Agim Kastrati zhvilloi takimin e radhës me kryetarin e komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional me qëllim të përmbushjes së detyrimeve ligjore nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Gjithashtu, në këtë takim u theksua se mbështetja e KQZ-së, respektivisht trupave të saj zgjedhore, siç janë Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në çdo komunë, duke krijuar kushtet dhe hapësirën e nevojshme të punës për funksionimin e tyre, është e domosdoshme dhe ndikonë në cilësinë e proceseve zgjedhore qendrore dhe lokale.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve si dhe hapësira për adaptimin e Qendrave Komunale të Numërimit.

KQZ, në çdo komunë ushtron funksionin zyrtar përmes Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (ZEKKZ). Gjatë periudhës së zgjedhjeve, Zyrtari Ekzekutiv është Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve që themelohet nga përfaqësues të subjekteve politike të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale.

Përveç kësaj, me ligjin e ri KQZ do të themelojë në çdo komunë Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat duhet të vendosen në salla të mëdha apo në palestra sportive dhe që do të shërbejnë, ndër tjerash, edhe për numërimin e fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale.