Konferenca e parë, KQZ: Hapen të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës

14/02/2021

 

Prishtinë, 14 shkurt 2021, 08:00 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e parë në Ditën e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se sipas planifikimeve me planin operacion, në orët e hershme të mëngjesit dhe kohë, është shpërndarë materiali zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, për në të gjitha qendrat e votimit.

“Po ashtu, ju njoftojmë se të gjitha qendrat e votimit, 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendotime janë hapur në orën e paraparë”, tha ai.

Në këtë konferencë të parë të KQZ-së u paraqitën edhe të dhënat lidhur me numrin e qytetarëve me të drejte vote, e që sipas listës përfundimtare të votuesve janë: 1 milion e 794 mijë e 862 qytetarë me të drejtë vote.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje ëshhtë 28, ndërsa numri i përgjithshëm i kandidatëe për deputetë është 1 mijë e 52 kandidatë.

Gjithashtu, duke e ditur se vëzhgimi i zgjedhjeve ka rëndësi të veçantë, jo vetëm për KQZ-në, sepse ndihmon në rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor, KQZ-ja ka akredituar 18 ambasada me 146 vëzhgues; 6 organizata ndërkombëtare dhe institucione me 37 vëzhgues; 1 institucion publik me 43 vëzhgues; 26 organizata jo-qeveritare vendore me 1 mijë e 713 vëzhgues; 23 subjekte politike 26 635 vëzhgues; dhe më shumë se 60 media vendore dhe ndërkombëtare me rreth 700 përfaqësues.