main-bg

Ri përsëritja e Raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës në Istog - VOTIMI PËRMES POSTËS

Periudha e verifikimit dhe konfirmimit të votuesve jashtë Kosovës për komunën e Istogut 2 dhjetor – 6 dhjetor 2017

Në pajtim me autorizimet e dhëna në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, bazuar në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nr. ZL.A.nr. 1114/2017, si dhe me vendimin e Gjykatës Supreme AA. Nr. 55/2017, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur me datën 02.12.2017, ka nxjerrë Vendim për Miratimin e Procedurës për Verifikimin dhe Konfirmimin e Votuesve jashtë Kosovës për Zgjedhjet e Përsëritura për Raundin e Dytë për Kryetar Komune në Istog, të cilat do të mbahen me datën 17.12.2017. 

Votuesit e regjistruar suksesshëm për votim përmes postës për komunën e Istogut, të cilët kanë aplikuar për regjistrim prej datës 16.07.2017 deri me datën 23.08.2017, duhet të dërgojnë dëshmi zyrtare shtesë për adresën e vendbanimit jashtë Kosovës dhe numrin e telefonit kontaktues. Pas kësaj, këta votues do të kontaktohen për verifikim, me qëllim që të vërtetohet se a janë votues që kanë aplikuar suksesshëm dhe personalisht nga jashtë Kosovës. 

Votuesit jashtë Kosovës, që janë regjistruar suksesshëm për komunën e Istogut, të cilët nuk do të sjellin dëshmi zyrtare shtesë për adresën dhe numrin kontaktues të telefonit përgjatë datave 02.12.2017 deri më 06.12.2017, do të kthehen si votues në listën e votuesve brenda Kosovës, në qendrat e votimit sipas adresave të tyre në Regjistrin Qendror Civil. 

Periudha e verifikimi dhe konfirmimit të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë sot, me datën 02.12.2017 dhe do të përfundoj me datën 06.12.2017.

Vërtetimi apo dëshmi zyrtare mbi adresën tuaj, që vërteton se jetoni jashtë Kosovës, në shtetet përkatëse dhe numrin kontaktues të telefonit, ju mund ta dërgoni në adresat elektronike të skanuara, në email-at: ovpp@kqz-ks.org, ogpp@kqz-ks.org, dhe vjk.2017@kqz-ks.org. 

Gjithashtu, dëshminë zyrtare të adresës ku jetoni jashtë Kosovës dhe numrin kontaktues mund të na dërgoni edhe përmes postës, në adresë të KQZ-së (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Votimi Përmes Postës, K.P. 6 Kutia 351, 10 000 Prishtinë, Republika e Kosovës) dhe Përmes fax-it, në numrin: +381 (038) 213 200.