main-bg

Mbyllen me kohë të gjitha Vendvotimet Pjesëmarrja në zgjedhje është: 23 mijë e 861 votues apo 45.39%

19:30 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e radhës lidhur me ecurinë e procesit të votimit në Raundin e Dytë të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Drenas (Gllogoc).

Në këtë konferencë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se janë mbyllur në kohën e paraparë të gjitha Vendvotimet në këtë komunë. 


Gjithashtu, ajo bëri të ditur se pjesëmarrja në këto votime është: 23 mijë e 861 votues, apo 45.39%. Të dhënat e detajuara për çdo Vendvotim i gjeni në: http://rezultatet.kqz-ks.org/ 


Kjo pjesëmarrje është me e lartë se në Zgjedhjet e Raundit të Parë (04 dhjetor) ku nga 52 mijë e 569 qytetarë me të drejtë vote votuan: 21 mijë e 318 votues apo 40.55%. 


Kryetarja Daka, në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve falënderoi të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit (Gllogocit) që shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar dhe për kulturën e lartë demokratike të treguar gjatë procesit të votimit. 


Po ashtu, Daka falënderoi edhe Këshillat e Vendvotimeve për punën e bërë gjatë tërë procesit të votimit dhe i inkurajoi që gjatë procesit të numërimit t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit me qëllim që vullneti i qytetarëve të dërgohet në vend. 


Në fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh falënderime edhe për institucionet tjera, Policinë e Kosovës dhe Prokuroruinë e Shtetit, duke çmuar lartë punën e tyre gjatë gjithë ditës së sotme.  


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se duke filluar nga ora 19:00 fillon të rrjedhë afati 24 orësh për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).