Sqarim nga KQZ lidhur me vendosjen e kamerave në vendvotime dhe krijimin e Listës Votuese

11/04/2024

Prishtinë, 11 prill 2024 – Pas paqartësive të krijuara në opinion, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerëson të nevojshme të sqarojë disa çështje lidhur me vendosjen e kamerave në vendvotime për proceset e ardhshme zgjedhore, duke filluar nga votimi më 21 prill dhe për krijimin e Listës Votuese për këtë proces.

Lidhur me planifikimet për të vendosur kamera në vendvotime, KQZ sqaron se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore, kurdo që ato mbahen dhe për këtë temë duhet të mbahen parasysh disa çështje.

Së pari, vendosja e kamerave në vendvotime është planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ, më saktësisht me Rregulloret Zgjedhore Nr. 11/2024 për Këshillat e Vendvotimeve dhe Nr. 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e Vendvotimit. Këto dhe Rregulloret tjera Zgjedhore nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, por do të vlejnë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore.

Së dyti, vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Sipas vlerësimeve të KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve, në Qendra të Votimit, përkatësisht në Vendvotime, në proceset zgjedhore nga viti 2009 deri në vitin 2021 janë evidentuar parregullësi të cilat kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje. Në proceset zgjedhore 2009-2021 mesatarisht janë rinumëruar 36% e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor.

Së treti, edhe sipas procedurës së miratuar nga KQZ-ja, është me rëndësi të sqarojmë se vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit.

Së katërti, KQZ bën të ditur se ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor që sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme duhet të bëhet brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Dhe, së fundmi, KQZ sqaron se në ditën e votimit nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë passive dhe se në videoregjistrime mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese: KQZ-së, PZAP-it, Prokurorisë apo Gjykatës dhe jo në rrethana tjera.

Ndërkaq, lidhur me çështjen e krijimit të Listës Votuese për procesin e votimit më 21 prill për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, KQZ sqaron se ka ndjekur rrugën kushtetuese dhe ligjore.

Sipas vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës së Votuesve për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e veriut është: 46,556 votues apo 1,461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para një viti, më 23 prill 2024. Në votues të rinj përfshihen të gjithë ata persona që kanë arritur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill 2023 apo persona që më herët nuk kanë qenë në Listën e kaluar votuese, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil apo votues që kanë ndërruar komunën pas atyre zgjedhjeve.

Lidhur me këtë, KQZ sqaron se ky numër paraqet një rritje të natyrshme të numrit të votuesve, siç ndodh rëndom nga një proces zgjedhor në tjetrin.

Gjithashtu, edhe për çështjen e ngritur në opinion se numri i votuesve në këto komuna është më i madh se numri i banorëve rezidentë, KQZ sqaron se Lista Votuese nuk përmban vetëm qytetarët me të drejtë vote që jetojnë momentalisht në një vendbanim të caktuar, por edhe qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit.